Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte këtë të mërkurë në një konferencë me gazetarët ku ndër të tjerat komentoi edhe mesazhin e SHBA-së për zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Shqipëri më 11 maj.
Sipas Berishës mesazhi ishte thjesht një urim për shqiptarët, i cili as nuk pohonte dhe as nuk mohonte farsën elektorale që sipas tij ka ndodhur në Shqipëri.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, ishte mesazhi i SHBA për Shqipërinë.
“Merrni dhe lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet për të kuptuar se cili ishte thelbi i deklaratës. Në mesazh aty urohen shqiptarët, aty nuk pohohet dhe as nuk mohohet farsa elektorale. Ne që denoncojmë çdo ditë po njihemi me prova dhe me fakte të reja. Është shumë normale që ata të cilët nuk duan të paragjykojnë të dalin me raporte përfundimtare”,-tha Berisha.