Kreu i PD, Sali Berisha, mblodhi sot Këshillin Kombëtar, nga ku deklaroi se pas protestave nis puna për të fituar në zgjedhjet e 14 majit.
Kreu i PD tha se kandidatët duhet të shumëfishojnë çdo përpjekje për rezultate të shkëlqyera, por paralel me veprimtaritë e revolucionit.
“Tani kërkohet një fazë tjetër, në të cilën nga mëngjesi deri në darkë duhet të punojmë për fitoren në zgjedhjet lokale. Kandidatët tanë duhet të shumëfishojnë çdo përpjekje për rezultate të shkëlqyera, por kjo duhet të shkojë paralel me të gjitha format, qëndresë, veprimtaritë e evolucionit tonë. Revolucioni i ‘90 nuk u ndërpre, ia arriti qëllimit. Askush nuk mund të mendojë se revolucioni do na shmangë nga procedurat kushtetuese elektorale, jo dhe jo. Por askush nuk duhet të mendojë se ato janë zgjidhja, zgjidhja janë kur kombinohen me revolucionin. Nuk duhet të dekurajohemi, të mos mendoni për asnjë çast të tërhiqemi”, tha Berisha.