Berisha flet nga Kongresi në Valencia: E gjithë bota pret fitoren e PD-së

Kryetari i PD Sali Berisha, i pranishëm prej dy ditësh në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Valencia, deklaroi në një prononcim për media se, ky është forumi më i rëndësishëm politik në Europë, ku marrin pjesë kancelari Merz, 14 kryeministra europianë, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, si dhe shumë komisionerë dhe eurodeputetë.

Në fjalën e tij, Berisha tha se vendi është kthyer në “narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë” dhe akuzoi kryeministrin Rama për manipulim të zgjedhjeve dhe dhunë politike ndaj opozitës, me qëllim sigurimin e një mandati të katërt.

“Gjatë punimeve të këtij kongresi që i kushtohet kryesisht ndryshimeve të mëdha në Europë dhe në botë të sotme, unë pata rastin, përveç fjalës sime, në të cilën u përqendrova tërësisht në situatën në Shqipëri dhe paraqita para audiencës më të madhe europiane, të vërtetën e trishtë të narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, që është narkoshteti i ndërtuar nga Edi Rama, në Shqipëri. Diskutova gjerësisht përpjekjet e tij për të shndërruar zgjedhjet në fasadë, si dhe dhunën mbi terrorin politik që ai ushtron ndaj forcave opozitare, me qëllimin e vetëm për të marrë një mandat të katërt”, tha Berisha.

Berisha njoftoi se PPE do të miratojë rezolutën e katërt brenda pesë muajsh që dënon sipas tij qeverisjen e Ramës, duke theksuar se Partia Demokratike ka marrë një mbështetje të plotë nga PPE dhe aleatët ndërkombëtarë në rrugën drejt integrimit europian.

Kryetari i PD, Sali Berisha, theksoi se 74 fitore të forcave të qendrës së djathtë në Europë do të pasohen nga e 75-ta, që sipas tij, do të jetë fitorja e PD në zgjedhjet e 11 majit.

Ai tha se rezolutat dhe qëndrimet ndërkombëtare, përfshirë raportin e fundit të OSBE-së janë një thirrje për shqiptarët që të ndëshkojnë regjimin aktual dhe të hapin rrugën për rikthimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Pyetje – Z.Berisha, çfarë mbështetje mori PD nga PPE?

Berisha: “PD dhe populli opozitar, mori një mbështetje të plotë dhe totale nga PPE. Këtu, miratohet sot një rezolutë, në këto momente, pas kësaj interviste do jem aty, në të cilën dënohen me forcë të gjitha problematikat e mëdha të krijuara nga qeverisja e Edi Ramës në raport me zgjedhjet, në raport me opozitën, në raport me zbatimin e ligjit, me korrupsionin, me të gjitha.

Pra, mendoj se sot, populli opozitar, pikërisht pak ditë para zgjedhjeve, merr një thirrje, merr një kushtrim për t’u ndarë nga të gjitha këto problematika të rënda të krijuara nga regjimi, në mënyrë që, PPE, 14 kryeministra të kësaj organizate, të mund të mbështesin Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.

Dhe, padiskutim, në mënyrë të qartë si kristali, këta presin fitoren e PD, sepse kanë besim të madh, se kjo forcë do rivendosë, do rikthejë shtetin ligjor dhe se procesi i integrimit me PD në drejtim është i sigurtë dhe do bëjë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Dhe mos të harrojmë se, janë 74 fitore të forcave të qendrës së djathtë gjatë këtij viti, dhe e 75-ta do të jetë fitorja e PD, e cila mezi pritet nga partnerët dhe miqtë tanë në PPE, në Unionin Demokratik Ndëkombëtar dhe në Qendrën Ndërkombëtare Demokristiane.

Pra, e gjitha bota pret fitoren e PD.

Besoj keni dëgjuar atë raportin shumë serioz që ka publikuar dje delegacioni i OSBE. Por, e gjithë kjo mbështetje e madhe për opozitën shqiptare kthehet në një mesazh të fuqishëm për çdo shqiptar për t’i firmosur fundin regjimit të Edi Ramës dhe për të hapur një kapitull të ri për dëmokracinë shqiptare, integrimin e Shqipërisë”, tha Berisha.

Të Fundit