Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të martë një konferenë me gazetarët, ku zbuloi detaje nga takimet që ai pati një ditë më parë në Strasburg me përfaqësuesit e Partive Popullore Evropiane.
Berisha tha se “denoncoi përpara grupit të PPE në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, narkodiktaturën e ngritur në Shqipëri”.
Ai shton se parashtroi përpara zyrtarëve evropianë dhe përpjekjet e kryeministrit që të burgos liderët e opozitës në Shqipëri.
“U ktheva nga një udhëtim, qëndrim dhe vizitë njëditore në Strasburg, i ftuar nga grupi i Partisë Popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por edhe grupi i demokratëve konservatorë në këtë asamble, për të shkëmbyer mendime për gjendjen në Shqipëri.
Në këtë vizitë, u prita në një takim të veçantë nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Rusopulos.
U takova në takime të veçanta me delegacionin parlamentar në këtë asamble të Italisë, Suedisë, Greqisë.
Zhvillova një takim të veçantë në komitetin prestigjioz të antitorturës në këtë institucion.
Takova zyrtarë dhe miq të shumtë.
Në karrierën time politike, ky institucion është institucioni i parë që unë kam vizituar si President Republike.
Këshilli i Europës është institucioni më i vjetër evropian pas Luftës së Dytë Botërore, i cili në themel ka zgjedhjet e lira, liritë dhe të drejtat e qytetarëve evropiane.
Me këtë institucion kam pasur marrëdhënie intensive, qoftë si president apo kryeministër, qoftë si kryetar i partisë më të madhe opozitare.
Këshilli i Europës me bankën e tij dhe me ekspertizat e jashtëzakonshme i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë shumë ët madhe financiare, teknike në betejën kundër korrupsionit, në të gjitha problemet e autonomisë lokale dhe rajonale, në çështjet e demokracisë.
Ai këshill, me iniciativën e Sali Berishës ka votuar rezoluta kundër regjimit socialist në kohën kur isha në opozitë.
Kësaj here, pas 13 vitesh, unë përsëri aty isha në shtëpinë time dhe pata një pritje shumë miqësore dhe të përzemërt.
Ishte një kënaqësi e madhe që unë dje isha zëri i të gjithë shqiptarëve në atë institucion, zë që ka munguar kaq e kaq vite.
Por duhet t’u them këtu, ishte një kënaqësi shumë e veçantë, pas të themi pothuajse skandalit ndërkombëtar të Edi Ramës, çka kishte detyruar në një akt të pashembullt me një lider evropian, kishte detyruar drejtuesit e këtij institucioni të anulojnë darkën zyrtare të parashikuar për kryeministrin e Shqipërisë, pasi ai nuk ishte i denjë për këtë darkë”, tha Berisha.
Kryedemokrati zbuloi gjatë konferencës dhe datën e ardhjes së LaCivita në Shqipëri, që është data e hapjes së fushatës.
“Siç u kam thënë, unë u kam njoftuar se ai do jetë në hapjen e fushatës dhe këtu është përfaqësuesi i tij prej disa ditësh dhe ne jemi në lidhje.
Unë nuk e kuptoj si i krijoni këto dyshime?
E di çfarë kuptoj unë? Se këto i përhap zyra e Edi Ramës.
Aq i tmerruar është, sa tani për t’u dhënë zemër të vetëve, thotë që ai iku, nuk është më.
Po kur ta shohë, çfarë do t’u thotë të vetëve?
Këto i hap ai, tjetër kush nuk mund t’i hapë.
A keni dëgjuar ju se kush është konsulenti i tij? Jo, fare.
Se kjo është normale.
Ky tani, i tmerruar nga ekspertiza e tij dhe shumë faktorë të tjerë, iku, u thotë socialistëve. I mashtron në media.
Jo, ai do të vijë, do jetë i pranishëm në një hapje të jashtëzakonshme…
Skenarin ta mbajmë surprizë… jo çdo gjë mund të thotë njeriu, unë edhe nga udhëtime mbajta shumë gjëra pa i thënë, po kishte gjëra plot”, tha Berisha.