Berisha: Do krijojmë bordin për kursin e këmbimit valutor, çmimi i energjisë 6 lekë

Kryetari i PD, Sali Berisha, ishte në një takim me punonjësit e një fasonerie në Durrës.

Gjatë prononcimit për mediat, Berisha foli në lidhje me premtimet elektorale, ku tha se, nëse do të vijë në pushtet, qeveria e tij e re do të kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit ndërsa u zotua për të ulur dhe çmimin e energjisë elektrike.

“Unë e kuptoj vështirësinë e madhe që u krijon narkoeuro. Narkoeuro është një goditje shumë e rëndë për mijëra punonjës dhe sipërmarrje. Ata sjellin kontejnerë dhe vagona me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri. I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë. Qeveria do të kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta. Të kesh një rënie të euros në 35 përqind, sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare, pasi këto janë sipërmarrje që kanë të bëjnë me euron dhe shkëmbimi bëhet me euron”, tha Berisha.

Berisha premtoi ngritjen e një bordi për të monitoruar lëkundjet e kursit të këmbimit dhe për të kompensuar çdo sipërmarrës.

“Në këtë kontekst, një bord i veçantë do të ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit të këmbimit dhe për të kompensuar çdo sipërmarrës, gjersa ne, me gërshërët e ligjit, t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë. Ekonomia shqiptare ka nevojë për prodhim, prodhim, prodhim”, tha Berisha.

Berisha u ndal gjithashtu dhe te çmimi i energjisë elektrike. Ai tha se, me ardhjen në pushtet të PD, çmimi i energjisë elektrike do të ulet dhe do të bëhet 6 lekë për kilovat për orë.

“Gjithashtu, unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush, se energjia elektrike do të paguhet me 6 lekë. Shqipëria do të ketë çmimin më të lirë të energjisë në Evropë për biznesin. Ne e kemi pasur, nuk është se po bëjmë diçka të re. Do ta rikthejmë përsëri fuqishëm, në mënyrë që t’i japim hapësirë më të madhe investimeve, por edhe të lehtësojmë biznesin, tha Berisha.

Të Fundit