Berisha: Arsimi i shkatërruar, PD do ta rikthejë mësuesin në piedestal

Partia Demokratike zhvilloi këtë të shtunë, 7 mars, një tryezë pune me ekspertë dhe pedagogë, në kuadër të Ditës së Mësuesit, ku u diskutua gjendja e arsimit në vend.

Kryedemokrati Sali Berisha uroi mësuesit dhe pedagogët, duke e cilësuar misionin e tyre si përcaktues për fatin e kombit. Ai theksoi se sistemi arsimor ndodhet në një krizë të jashtëzakonshme, duke përmendur edhe rezultatet e zymta të nxënësve shqiptarë në testimet PISA.

“Arsimi në të gjitha nivelet dhe ciklet ka shkuar në një degradim të madh. Asnjë pushtues nuk mund ta shkatërronte kaq shumë në 11 vite sa e ka shkatërruar ky regjim”, tha Berisha.

Ai bëri krahasimin mes vitit 2013, ku kishte 801 mijë nxënës, dhe vitit 2025, me vetëm 405 mijë nxënës.

“Një rënie prej 49% pa luftë civile dhe pa katastrofa kombëtare, vetëm nga politikat shpopulluese të qeverisë“, shtoi ai.

Vuri theksin edhe te dallimi me Kosovën.

“Nga Kukësi shkojnë në Prizren për mjekim, sepse Kosova është shtet që mban përgjegjësitë ndaj arsimit, bujqësisë dhe shëndetësisë, jo një mafie e tmerrshme si kjo këtu.”

Ai premtoi se PD do ta vendosë arsimin në qendër të politikave të saj, duke nisur rindërtimin e sistemit arsimor nga mësuesi.

Po ashtu, Berisha foli për investime mbi 5% të buxhetit për modernizimin e arsimit dhe për krijimin e kushteve për kërkimin shkencor në universitete, i cili sipas tij është një nga indikatorët më të rëndësishëm të vlerës së pedagogut.

“Pa rindërtuar arsimin, nuk ka hap të vërtetë përpara”, përfundoi kryetari i PD-së, duke akuzuar qeverinë aktuale se ka bllokuar kërkimin shkencor dhe ka krijuar burokraci që pengon zhvillimin e pedagogëve dhe universiteteve.

Të Fundit