Vetëm pak orë para protestën kombëtare të radhës të thirrur nga opozita para Kryeministrisë në Tiranë, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrjen e fundit për qytetarët dhe mbështetësit, që të mblidhen të gjithë në kryeqytet për “kryengritjen paqësore për fitore dhe për Europën”.
Me një postim të shkurtër, të shoqëruar edhe me një video me pamje nga protesta e fundit, ai apelon për pjesëmarrje masive në orën 17:00, kur edhe nis protesta.
“Të gjithë në ora 17:00, në Tiranë, në kryengritjen paqësore, kryengritjen e fitores, kryengritjen e të ardhmes, kryengritjen për Europën”, shkruan Berisha.
Diskursi i opozitës aktualisht është më afër partnerëve të BE dhe të SHBA, teksa po denoncon me forcë aferat korruptive të qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, tashmë e pezulluar nga detyra edhe me vendim të Kushtetueses.
I pyetur për turin e takimeve zyrtare të Ramës si në Bruksel dhe Izrael, Berisha do të deklaronte se kudo që të shkonte kryeministri, ishte armik i egër i kombit shqiptar. Dhe sipas tij, “Rama mbron vetëm interesat e veta dhe të Lubi Ballukut”.
“Në këtë udhëtim ai do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari dhe do mbrojë interesat e veta dhe Lubi Ballukut. Nesër është dita e qytetarëve, i ftoj nga mbarë Shqipëria, nga Tiranë në kryengritjen paqësore t’i faktojmë Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh”, tha dje Berisha gjatë konferencës.



