Leon Molla, një 40-vjeçar Mirditor i cili jeton prej vitit 2012 në Francë është marrë sërish i pandehur nga Prokuroria e Lezhës. Ndaj tij është ngritur akuza “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, pasi sipas organit të akuzës përmes videomesazheve të shpërndara në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje për heqjen e pllakatit të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i vendosur në sheshin me të njëjtin emër në qytetin e Laçit.
Hetimet në lidhje me rastin në fjalë nisen në muajin shkurt të vitit 2022-të, pas tentativës së heqjes së pllakatit të Erdogan i cili u vendos në lagjen e ndërtuar pas tërmetit nga qeveria turke.
Sipas dosjes hetimore Leon Molla është personi i cili përmes reagimeve në rrjetet sociale i ka nxitur këto veprime, duke kërkuar që pllakatit të vendoset lënde plasëse.
Çështja në fjalë ka kaluar për Gjykim themeli në Gjykaten e Lezhës, ku i pandehuri do të gjykohet në mungesë, pasi prej vitit 2012 ndodhet jashtë territorit shqiptar dhe mësohet se ka fituar azil në Francë.
I kontaktuar për këtë çështje, Leon Molla i qëndron vendosmërisë së tij për mbrojtjen e vlerave të territorit shqiptar, pasi sipas tij nuk mund të vendosen simbole të një vendi që na ka pushtuar siç është Turqia.
Ai e konsideron absurditet të drejtësisë shqiptare marrjen e tij të pandehur për një çështje të tillë e cila mbron kombin kombin shqiptar. Leon Molla, është dënuar dhe më parë me 2 vite burg nga Gjykata e Lezhës, për thirrjet në rrjetin social Facebook për heqjen e flamurit turk nga diga e HEC-it në Qafë Mollë të Mirditës. Ai u gjet fajtor për veprën penale “Nxitja e Urrejtjes”