Bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e Range Rover-it, procedohet 27-vjeçari dhe i sekuestrohet makina

Një 27-vjeçari është sekuestruar makina tip Range Rover dhe është proceduar penalisht, pasi bëri kallëzim të rremë në polici se ia kishin vjedhur mjetin, për të përfituar kompensimin nga kompania e siguracionit.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi K. Ç., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60 000 euro, organizuan punën për zbardhjen e këtij rasti.

Nga veprimet hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike të siguruara, rezultoi se shtetasi K. Ç. kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60 000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Ç., 27 vjeç, banues në Itali.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, automjeti tip “Range Rover”, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Të Fundit