Berati tejmbushet me turistë, muzeu Ikonografik “Onufri” mbetet destinacioni i preferuar

Fundjava në qytetin muze të Beratit ka qenë e tejmbushur me turistë, vendas e të huaj. Edhe pse viti 2023 u cilësua si viti më i suksesshëm për turizmin në Berat, ky vit duket se po vijon më furishëm se 2023-shi dhe kjo vihet re në çdo rrugë e lagje muzeale të qytetit.

Disa nga vendet më të frekuentuara nga turistët janë dy lagjet muzeale “Mangalem” e “Goricë”,pjesë e UNESCO-s, ku sheh çdo ditë turistë të befasuar nga ky qytet, ku çdo gur ka një histori për të treguar.

Këtë vit risi ka qenë edhe numri i lartë i vizitorëve në moshë të re, të organizuar me shkollat nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Por, padyshim që Kalaja dhe Muzeu Ikonografik “Onufri”, që shpalos në ikonat e tij bashkëjetesën fetare ndër shekuj, mbeten vendet më të frekuentuara nga turistët edhe për këtë vit.

Ashtu siç konfirmon edhe drejtori i këtij Muzeu, MIklor Pasku, muzeu Onufri është vizituar nga mbi 23 mijë turistë, gati dyfishi i numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar

Nga muaji Janar e deri më tani, Muzeu Onufri është vizituar nga mbi 23 mijë turistë, gati dyfishi i numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifrat na tregojnë se këtë vit do të kemi një dyfishim të numrit të vizitorëve në këtë muze, që për vitin që lamë pas ka qenë rreth 80 mijë vizitorë. Fluksi është i jashtëzakonshëm dhe na gjen edhe të papërgatitur dhe kjo është një sfidë shumë e madhe për orientimin e vizitorëve dhe për promovimin nga ana jonë të vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit“, tha Pasku.

Turistët pohojnë se Berati është një qytet i mrekullueshëm, me vepra arti të rralla, me shtëpi karakteristike, me dritare njëra mbi tjetrën, një qytet i pastër dhe me njerëz të dashur e mikpritës.

Koleksioni i Muzeut Ikonografik “Onufri” në Berat përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike dhe veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat e shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.

Të gjithë vizitorët mund ta prenotojnë online biletën e muzeut, ndërsa në brendësi të tij ata mund të njihen me veprat e ekspozuara me anë të një shërbimi audio në dhjetëra gjuhë të botës.

Të Fundit