Beqaj në gjykatë: Hapni audion, prokurorët s’më kanë komunikuar akuzën! Duan vetëm të dënohem

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit këtë të martë në seancën gjyqësore lidhur me procesin e njohur si “Sterilizimi”.

Beqaj deklaroi para gjykatës se nuk i është komunikuar ende akuza e re, as me shkrim e as gojarisht. Ai sugjeroi se qëllimi i prokurorëve duket të jetë dëmtimi i tij, pavarësisht nga përmbajtja e akuzës.

“Mua ende nuk më është komunikuar akuza e re, as me shkrim, as me gojë. Nëse doni, mund të hapim audion e seancës. Mesa duket, qëllimi i prokurorëve është të dënohet Ilir Beqaj, nuk ka rëndësi për ta cila është akuza.”-tha Beqaj.

Gjatë seancës, ish-ministri lexoi nene të Kushtetutës, të Konventës dhe të Kodit të Procedurës Penale, të cilat sipas tij nuk janë respektuar në procesin gjyqësor.

Avokatët e Beqajt theksuan se SPAK ende nuk ka bërë saktësimin e veprës penale, pas sugjerimit të gjyqtares së seancës paraprake. Në këtë seancë paraprake, ndaj Beqajt iu ndryshua akuza nga “shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim” në “shpërdorim detyre në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Të Fundit