Katër turistë francezë janë arrestuar nga policia pasi akuzohen për disa vjedhje të kryera në zonat e Ksamilit dhe Sarandës.
Tre prej të arrestuarve, të moshave 21-22 vjeçare, u kapën më 4 shtator në lagjen nr. 3 të Ksamilit, pas akuzave se kishin vjedhur në një lokal. Ata dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë sende elektrike, shishe me pije alkoolike, si dhe kanë dëmtuar me mjet prerës një mjet lundrues të tipit “gomone”.
“Në Ksamil, u arrestuan në flagrancë 3 shtetasit P. K., 21 vjeç, H. K., 21 vjeç dhe Y. N., 22 vjeç, banues në Paris, Francë, pasi më datë 04.09.2025, në një lokal në lagjen nr. 3, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë vjedhur disa sende elektrike, shishe me pije alkoolike, si dhe kanë dëmtuar me mjet prerës një mjet lundrues të llojit ‘gomone’.”, tha Policia.
Ndërkohë turisti i katërt, i moshës 27-vjeçare u kap pasi kishte vjedhur në një lokal celularin e një personi: “Në Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., 27 vjeç, banues në Paris, Francë, pasi më datë 04.09.2025, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se i ka vjedhur aparatin celular një shtetasi tjetër.”
Policia bën me dije se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pjesë e sendeve të vjedhura.