Numri dy i qeverisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është paraqitur pasditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku është thirrur nga prokurori Dritan Prençi.
Në momentin e daljes nga SPAK, Balluku është ndalur para mediave për një deklaratë të shkurtër. Balluku deklaroi se SPAK po zhvillon një hetim, por pa dhënë detaje për çështjen që po hetohet. Ajo deklaroi se shpreson që ky hetim të jetë i bazuar mbi “transparencën, llogaridhënien dhe parimet e drejtësisë së pandryshueshme”.
“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe zyrtare publike e shoh si një proces, i cili jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe parimet e drejtësisë së pandryshueshme”, deklaroi Balluku.
 
								 
															



 
                                 
                                 
                                