Belind Këlliçi e krahason veten me Tom Cruise: Në fund, ai fiton gjithmonë. Nuk u besoj sondazheve të porositura

Belind Këlliçi ka dhënë një intervistë për “Koha Jonë”, ku mes të tjerave e krahason veten me aktorin e njohur Tom Cruise.

A jeni i vetëdijshëm se me kandidimin tuaj në Tiranë keni dalë përballë një “mali” të madh që ka gjithçka në dorë: Votat, punën, pushtetin, mediat, shoqërinë civile, ndërkombëtarët; pra duket si një MISION I PAMUNDUR?

Belind Këlliçi: Ndryshimi është në duart e qytetarëve. Ky “Mali me Gropa” që përmendët ka në dorë vetëm propagandën. Po të ketë gjithë sa thoni, përse nuk del në rrugë të bisedojë me qytetarët? Përse kur del nga zyra është gjithnjë i rrethuar me grup truprojash? Përse mban më shumë truproja se kryebashkiaku i Kievit, i cili është në luftë? Përse nuk del përpara ju gazetarëve t’i bëni lirisht pyetje? Keni përdorur si referencë filmin “Mision i Pamundur”. Në fund të filmit fiton gjithnjë Tom Cruise.

Ju mendoni se do të jeni konkurues serioz, por mos është një lojë fine e juaja, pasi me këtë kandidim ju më shumë po ëndërroni të jeni kryetari i ardhshëm i PD-së?

Belind Këlliçi: Interpretimi i ëndrrave i përket lëmit të psikologjisë. Shkon përtej gazetarisë. Fokusi im është qyteti im, Tirana. Ëndrra ime është një Tiranë e jetueshme dhe kthimi i qytetit në normalitet.

Ju jeni shkolluar në SHBA, por a mendoni se po bini ne lojën e politikës tradicionale shqiptare që shan dhe akuzon për gjithçka?

Belind Këlliçi: Sa herë kam bërë akuzë, kam patur provë materiale në dorë, jam përballur në gjyq dhe kam fituar çdo çështje. Nëse segmente të caktuar në shtypin shqiptar presin të dëgjojnë nga unë komplimenta për partinë në pushtet, kjo nuk ka për të ndodhur, për sa kohë nuk shoh punë në dobi të Tiranës. Sharje apo fyerje, nuk besoj se keni dëgjuar ndonjëherë prej meje.

Kjo historia e biletës falas për trafikun urban qytetës, a ju duket edhe Juve si një teori komuniste, pasi po të flitej për studentë, pensionistë apo njerëz në nevojë do të ishte OK, por pse duhet të paguajë buxheti i shtetit për biletë falas për këdo?!

Belind Këlliçi: Nuk është histori se nuk ka ndodhur ende. Fillon pas 14 majit, kur bashkia do i japë përparësi uljes së kostove të jetesës në Tiranë. Buxheti i shtetit nuk ka lidhje në këtë rast. Bashkia e Tiranës ka buxhetin e saj prej 240 milionë euro, ku kontribuojnë si taksapagues edhe këta qytetarë që përdorin transportin publik. Taksat i paguajnë njësoj si të tjerët. Transporti publik Pa Pagesë do të inkurajojë edhe jopërdoruesit e tanishëm të qarkullojnë me urban. E dini se janë të shumtë qytetarët që përshkojnë distanca në këmbë, se nuk kanë para mjaftueshëm për të paguar vajtje-ardhje një ose dy linja në ditë?

Shumë të tjerë nuk e kanë luksin të lënë ditën e punës për të mbajtur radhën për abone. Me arsyetimin “përse duhet të paguaj unë për tjetrin” nuk do të kishim as para për pensionistët, as për invalidët. Ky arsyetim bëhet nga politikan të pandjeshëm ndaj varfërisë dhe pafuqisë financiare së 200 mijë qytetarëve që iu nevojitet çdo ditë transporti dhe ndihma e bashkisë.

Nga ana tjetër pak më intereson se si tingëllon nga ana politike ky premtim i imi. Fokusi im janë qytetarët dhe ulja e kostove të jetesës për familjet në Tiranë. Nuk kam asnjë kompleks të jap çfarëdo zgjidhje për qytetarët, përtej çdo interpretimi ideologjik.

Të bësh një fushatë në Tiranë kërkon edhe shumë lekë, ku i merrni dhe a keni donatorë zyrtarë?

Belind Këlliçi: Demokratët kontribuojnë aq sa mundin. Janë anëtarët dhe simpatizantët të parët që ndihmojnë në këtë aspekt. Dikush ofron furgonin e tij për lëvizjet e stafit; një djalë i forumit rinor siguroi kompjuterat e zyrës nga dyqani i tij i kompjuterave. Njëjtë edhe për televizorët që i duhen zyrës së shtypit apo për ujin që konsumon stafi. Është shumë e vështirë të përballosh financiarisht një fushatë bashkëkohore, por na ndihmon jashtë mase ekipi i vullnetarëve, të cilët janë profesionistë të rinj të fushave të ndryshme.

A ju prish punë me vota kandidati i PD-së zyrtare, Roland Bejko? Po Lajla Përnaska? Sepse të dy marrin vota djathtas.

Belind Këlliçi: Mendoj se do të marrin votat e njëri-tjetrit. Përtej shakasë, që besoj ma mirëkuptojnë, janë në të drejtën e tyre të zgjedhin qoftë dhe humbjen. I ftoj të më bashkohen! Garën nuk e kemi me njëri-tjetrin. Kaq e thjeshtë është kjo çështje.

Një portal botoi këto ditë një shkrim se Ju nuk keni mbaruar të plotë sistemin 5-vjeçar të “Harry Fultz”, por dëftesën e keni marrë si të tillë dhe më pas keni studiuar në SHBA me këtë diplomë. Apo akuza nga kazani mediatik, siç thotë Edi Rama?

Belind Këlliçi: Jam në fushatë, i fokusuar çdo ditë në takime me bashkëqytetarët e mi. Në një qytet me ndotje të madhe akustike si Tirana, nuk mund të të kapi veshi çdo zhurmë. “Zbulime” të tilla sensacionale në kohë fushate janë brenda pritshmërive të mia si kandidat dhe njeri publik. Fushata është ndezur dhe do dëgjojmë çudira për veten, për më tepër që fabrikohen nga një makineri rrenash dhe propagande, të cilën do e mundim si qytet, të gjithë bashkë, më 14 maj. Nga ana tjetër prej 3 muajsh tashmë, ftesa ime mbetet e hapur për kryebashkiakun, për tu përballur në secilën studio televizive që ai dëshiron, për të diskutuar mbi këtë çështje dhe shkollimin tonë që nga klasa e parë nëse ai dëshiron!

Pse thuhet se ju jeni më shumë kandidat i përzgjedhur i Ilir Metës sesa i Sali Berishës, apo prapë “kazani mediatik” nxjerr tym të zi?

Belind Këlliçi: Ndoshta për të krijuar tymnajë, por boll smog kemi në Tiranë. Sajesave nuk i kushtoj asnjë rëndësi, thjesht sepse i neveris. Raportin e kam vetëm me të vërtetat që më kanë treguar bashkëqytetarët e mi këto muaj.

Në fakt sondazhet e besueshme japin që për tre bashkitë e mëdha si Tiranë, Durrës dhe Elbasan, PS fiton kryeqytetin dhe Elbasanin. Komenti juaj?

Nuk i besoj sondazheve të besueshme të porositura. I besoj vetëm atyre burrave e grave, të rinj e të moshuar të qytetit tim, me të cilët shtrëngoj duart e bisedoj ballë për ballë. Takoj me mijra qytetarë çdo ditë, të cilët janë sondazhi im më i besueshëm dhe i pa kompromentueshëm. Qytetarët flasin për ndryshim me datë 14 Maj, kaq i thjeshtë është sondazhi im i përditshëm.

Më 15 maj kur të jepet rezultati se ka fituar Erion Veliaj dhe ju e pranoni rezultatin, a do të kemi një akt civilizimi nga Ju, që të shkoni dhe t’i jepni dorën publikisht Erion Veliajt?

Belind Këlliçi: Unë nuk besoj te parashikimi i fatit, por do e mirëprisja një mesazh urimi edhe nga ju që besoni ende te Veliaj, tek 1 milionë pemët e mbjellura të tij dhe besoj se çdo ditë përdorni Trenin Elektrik të premtuar prej Veliajt!

Një koment të shkurtër për Enkelejd Alibeajn. I shitur, pa vizion apo ëndërrimtar për një PD me frymë amerikane?

Belind Këlliçi: Unë komentoj idetë, jo njerëzit.

Të Fundit