Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit pranoi këtë të hënë kërkesën e eurodeputetit, Fredi Beleri, për lirimin nga burgu.
Në dalje nga qelia e burgut, Beleri dha një deklaratë për mediat, ku i cilësoi zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë si të paligjshme.
Beleri tha se ai është fituesi i bashkisë së Himarës dhe mandati iu hoq me pa të drejtë nga qeveria e kryeministrit Rama.
“Në Shqipëri nuk ka zgjedhje sepse pushteti ka vendosur që në këtë shtet të mos bëhen zgjedhje. Në zgjedhjet që u bënë më 14 maj dola fitues, zgjedhjet që u bënë në 4 gusht ishin të paligjshme. I paligjshëm ishte shkarkimi im, i paligjshëm ishte dekreti i zgjedhjeve të presidentit dhe të paligjshme ishin vendimet i kryeministrit për të implikuar gjithë shtetin dhe mafien për të fituar një pal zgjedhje në një fshat”, tha Beleri.
Beleri u ndal dhe te marrja e mandatit të eurodeputetit dhe puna që do ketë si përfaqësues i Demokracisë së Re në Parlamentin Europian.
Ai tha se “me mundësinë që do të ketë do të ngre zërin në Parlamentin Europian për drejtësinë në Shqipëri”.
Beleri shtoi se betejën ligjore do ta vijojë në Gjykatën e Strasburgut dhe nëse del i pafajshëm do të rikandidojë në Himarë.
“Betejën ligjore do ta vazhdoj në Strasburg. Kjo çështje do të mbyllet në Strasburg dhe do kërkojë të drejtën atje. Kur të mbaroj vendimi i Strasburgut dhe nëse dal i pafajshëm sigurisht që do kandidoj”, tha Beleri.