Beleri merr pjesë në inaugurimin e konsullatës greke në Korçë: Dëshirë e qytetarëve

Këtë të hënë u inaugurua në Korçë konsullata e re greke. I pranishëm në ceremoni, krahas ministrit të Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, dhe homologut të tij grek, George Gerapetritis, ishte dhe eurodeputeti Fredi Beleri.

Beleri zgjodhi të jepte një intervistë për kamerën e Euronews Albania, ku tha se hapja e konsullatës është një dëshirë e qytetarëve që u bë realitet. Ai shtoi se ky institucion do të shërbejë për të mbajtur më afër dy popujt dhe për të zgjidhur problematikat e qytetarëve.

Intervista:

Gazetari: Zoti Beleri, në Korçë inaugurohet konsullata greke, çfarë do të thotë kjo për ju?
Beleri: Ishte një dëshirë e qytetarëve të Korçës që kjo godinë historike të marrë rolin që historia e kishte zgjedhur. Këtu ishte shtëpia ku ka lindur nobelisti grek Seferis. Kjo godinë bëhet sot konsullatë. Konsullata është institucioni që do mbajë afër dy popujt dhe do të zgjidhë problematikat e tyre.

Gazetari: Zoti Beleri, sot do të jenë të pranishëm ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani dhe homologu i tij grek. A do të ndërmjetësoni ju për çështjen e detit?
Beleri: Të dy ministrat nuk kanë nevojë për ndërmjetës, pasi kanë marrëdhënie shumë të mira dhe roli i eurodeputetit nuk hyn këtu.

Gazetari: Kanë marrëdhënie të mira të dyja shtetet?
Beleri: Po, dy ministrat, thashë.

Gazetari: Është harruar çështja juaj?
Beleri: Asgjë nuk harrohet.

Të Fundit