Begaj takon Baba Mondin: Sulltan Novruzi të shërbejë për më shumë mirëkuptim në shoqërinë shqiptare

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot në 22 mars besimtarët bektashinj për Sulltan Nervuzin, një festë që shënon për ta fillimin e një viti të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës zhvilloi një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, të cilit i përcolli urime të përzemërta.

Kreu i Shtetit uroi që kjo ditë të shërbejë si thirrje për më shumë shpresë, harmoni e mirëkuptim në të gjithë shoqërinë shqiptare.

“Gëzuar Sulltan Nevruzin!

Jam këtu te Kryegjyshata Botërore, së bashku me Baba Edmond Brahimaj, për t’u uruar festën e Sulltan Nevruzit të gjithë besimtarëve bektashinj, por edhe të gjithë shqiptarëve, që të kenë paqe, begati dhe lumturi në jetën e tyre!” – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Sulltan Nevruzi përkon me ditëlindjen e Imam Aliut dhe vlerat e tij duhet të mishërohen në jetën tonë të përditshme. Sulltan Nevruzi është lindja e pranverës, lindja e shpresës, lindja e dritës mbi errësirën, dhe duhet që vlerat e larta të kësaj dite, të paqes, të dhembshurisë, te dashurisë, të solidaritetit dhe të besimit për një të ardhme më të mirë, të jenë ato që duhet të na përçojnë në të gjitha ditët tona të vitit!“, deklaroi Presidenti nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Të Fundit