Shqipëria do të përfitojë nga një paketë prej 103.3 milionë eurosh grante të cilat u miratuan së fundmi nga Komisioni Evropian.
Lajmi u bë me dije përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë në Twitter nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
“Për të ndihmuar me COVID-19, i kemi bërë disa ndreqje fondit aktual për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e sprovave sociale dhe ekonomike aktuale dhe të së ardhmes. Paralelisht, fondet e BE-së synojnë mbështetjen e reformave kyçe që nevojiten nga Shqipëria për të implementuar dhe vijuar përpara në rrugën e saj drejt BE-së,” – shkroi në Twitter Soreca duke cituar fjalët e Komisionerti të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Programi i miratuar nga KE përqendrohet në çështje të tilla si shteti i së drejtës, të drejtat themelore dhe qeverisja e mirë. Përmes tij ofrohet edhe ndihmë për të trajtuar më tej pasojat e krizës së COVID-19.
Më konkretisht programi ndahet në:
- BE për Qeverisje të Mirë (€48.1 milionë)
- Mbështetja e BE-së për pjesëmarrjen në Programet e Bashkimit Evropian (€1.5 milionë)
- Struktura e Integrimit në BE (€8.3 milionë)
- BE për Shtetin e së Drejtës (€5 milionë)
- BE për të Drejtat e Pronësisë (€5.7 milionë)
- Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) Faza II (€8.7 milionë)
- BE për Rimëkëmbjen Ekonomike (€26 milionë)