Gazetarja e BBC, Bettany Hughes, ka udhëtuar drejt Shqipërisë për të vizituar bunkerin e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Në kuadrin e rubrikës ‘Mrekullitë e Shqipërisë’ në ‘BBC World’, Hughes ka bërë një dokumentar dedikuar bunkerit poshtë vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, që ishte ndërtuar për të përballuar edhe një luftë nukleare.
“Ky është bunkeri sekret më i madh në të gjithë vendin. Është të paktën 5 kate nën dhe qëllimi i tij ishte të përballonte sulmet kimike dhe nukleare Janë qindra dhoma në këtë bunker, me qëllime të ndryshme. Kështu, ti ke dhomat e dekontaminimit, apo ato për komandantët e ushtrisë dhe pastaj, është kjo kinema apo teatër, vërtetë i çuditshëm dhe gjithashtu i bukur, ku oficerët vinin për të marrë komanda dhe për të parë deklaratat publike të qeverisë. Ideja e gjithë kësaj ishte që edhe nëse një luftë nukleare do të zhvillohej, një formë e çuditshme e jetës, të mund të vazhdonte këtu poshtë”. Kjo është dhoma personale e Enver Hoxhës…Dhoma e ish-diktatorit ishte një nga më të sigurtat në bunker, ndërsa projekti i tij është frymëzuar nga një vizitë në Korenë e Veriut. Bunkerët e krijuar nga ish-diktatori Hoxha nuk qenë të nevojshme asnjëherë, pasi nuk pati asnjë sulm nuklear, por pati vetëm një varfëri shkatërruese. Gjatë regjimit të Hoxhës, populli shqiptar u bë një nga më të varfrit në botë,” thotë gazetarja.