Rregulla të reja për stacionet e plazheve. Qeveria i jep të drejtën Këshillave Bashkiakë që të miratojnë çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare. Po ashtu përcaktohet se bashkitë marrin në dorë administrimin e drejtpërdrejtë të zonave publike përmes një kategorie të re tarifimi.
Qeveria ndryshon rregulloren e lojës për sezonin e ardhshëm turistik.
“Këshilli bashkiak, përpara fillimit të çdo sezoni turistik, mund të miratojë me vendim çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, të cilat shërbejnë si kufi maksimal për negociimin dhe zbatimin e çmimeve nga subjektet private. Çmimet maksimale përcaktohen në mënyrë të diferencuar sipas zonave, duke marrë në konsideratë nivelin e zhvillimit turistik, aksesueshmërinë, intensitetin e kërkesës, standardin e shërbimit dhe interesin publik”, thuhet në vendim.
Vendimi përcakton se çdo biznes që guxon të faturojë më shumë se çmimi i dakordësuar në kontratë, rrezikon jo vetëm gjoba të majme, por deri në zgjidhjen e menjëhershme të kontratës dhe humbjen e hapësirës së plazhit.
Një tjetër risi është krijimi i “Plazhit publik të tarifuar nga bashkia”. Këto do të jenë plazhe ku shërbimi ofrohet direkt nga shteti ose ndërmarrjet e varësisë. Në këto stacione, bashkive u ndalohet rreptësisht t’ua delegojnë menaxhimin privatëve, duke synuar kosto më të përballueshme për familjet dhe duke plotësuar kërkesa minimale për sigurinë dhe higjienën.
Nga rregulli që stacione plazhi kanë vetëm strukturat akomoduese, përjashtohen disa plazhe si Divjaka, Spillea, Gjiri i Lalzit, Zvërnec, Lukovë, Borshi etj., ku u njihet e drejta të kenë stacion plazhi edhe subjektet që janë të regjistruara si struktura shërbimi, bare apo restorante.



