Kujdesi dhe menaxhimi i qenve endacakë nga Bashkia e Tiranës është vlerësuar nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (WOAH).
Gjatë konferencës rajonale të mbajtur në Zagreb të Kroacisë, mes 11 shteteve pjesmarrëse ishte edhe Shqipëria. Një ndër temat e këtij viti ishte edhe menaxhimi i popullatës së qenve endacakë, ndaj vendi u përfaqësua me modelin e suksesit të Bashkisë Tiranë në këtë fushë.
Veterinerët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, drejtori në varësi të Bashkisë Tiranë, të cilët kryejnë prej vitesh procesin e strerilizimit, vaksinimit dhe matrikullimit të katërputroshëve të qytetit prezantuan punën e bërë.
“Prej muajit Maj 2023 procesi i nisur prej vitesh është finalizuar me hapjen e strehëzës së parë publike në Tiranë, e cila ka një kapacitet hotelerie prej 1 mijë qenushësh. Aktualisht po vijohet paralel si me sterilizimet dhe adoptimet”, u shpreh gjatë prezantimit Kostandin Puleri, Përgjegjës i Sektorit Veterinar.
Drejtori ekzekutiv i WOAH-së, Paolo Dalla Villa, komplimentoi modelin e ndjekur nga Tirana, por vlersimin maksimal prej tij dhe profesorëve të tjerë të organizatës botërore, e morën fushatat edukuese dhe ndërgjegjësuese mbi mos braktisjen e katërputroshëve, të cilat AMK i zhvillon here pas here.
Strehëza Veterinare, e cila ndodhet në Tufinë është e pajisur me pajisjet më të fundit laboratorike, të cilat ndihmojnë edhe në evidentimin e zoonozave, në shërbim të komunitetit.
Strehëza është e hapur për vullnetarët, fëmijët dhe çdo student veterinarie, interesi i të cilëve ka qenë i lartë gjatë këtyre muajve, duke u kujdesur nga afër për qenushët çdo të mërkurë dhe të premte të javës.