Bashkia e Kamzës ka rritur çmimin e biletës së transportit publik ku nga 40 lekë që ishte, qytetarët duhet të paguajnë tashmë 50 lekë për biletën e autobusit për linjën Kamëz-Tiranë dhe anasjelltas.
Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Kamzës, me firmën e kryetarit të Këshillit, Hysen Koldashi.
Në vendimin e Këshillit Bashkiak thuhet se kërkesa për rritjen e çmimit të biletës së transportit publik me 10 lekë është bërë nga Shoqata për Transportin Urban dhe Interurban.
Vendimi i miratuar nga Këshilli Bashkiak një muaj më parë u publikua në faqen zyrtare të bashkisë dhe do të hyjë në fuqi pas miratimit nga prefekti i Tiranës.



