Bashkëshortja e Fatos Nanos: E donte me shpirt Shqipërinë, nuk bënte asgjë përgjysmë

Bashkëshortja e ish-kryeministrit të ndjerë Fatos Nano gjatë fjalimit të saj të lamtumirës ka theksuar se do të tregojë vlerat e tij dhe sesa shumë e donte Shqipërinë. Xhoana Nano u shpreh se Nano besonte në vlerat evropiane dhe solli një frymë të re.

“Ai nuk dinte dhe nuk donte të shtirej. Nuk merrte poza e urrente populizmin, besonte te ajo qe bënte. Besonte me shpirt në vlerat evropiane. Siç thoshte edhe vetë ai eci përmes baltës politike pa u bërë pis.

Ai nuk bënte asgjë përgjysëm as punën, as miqësinë dhe as dashurinë. Hakmarrja ishte një cilësi që ai nuk e kishte dhe nuk pranonte të njihte. E dëshmoi në periudhën kur drejtoi qeverinë menjëherë pas burgimit të padrejtë. Solli një frymë të re, qe e konsideronte jetën politike si garë dhe marrëveshje e kompromis.

Ishte i drejtpërdrejte, ndonjëherë kokëfortë por i ndershëm me veten dhe të tjerët. Pavarësisht çmimit të lartë personal që pagoi, nuk hoqi dorë për të parë Shqipërinë të drejtë, të begatë, demokratike dhe njerëzore. Për të gjitha këto sot, mes dhimbjes së thellë, kam një ndjenje dhe më të lartë mirënjohje. Mirënjohje që pata fatin ta njihja, të ecja krah tij.

Të qeshnim dhe të vuanim bashkë, të jetonim. Dua ti them publikisht, Faleminderit Fatos, që më deshe dhe që më dhe mundësinë të të dua, faleminderit që ishte ky që ishe. Faleminderit që e dhe veten tënde pakursim për mua, për mua për ne, për vendin tonë. Do të mbetesh përherë në kujtesën tonë, jo si burrë shteti, mbi të gjitha si njeriu ynë. U prehsh në paqe pranë zotit”, tha ajo.

Të Fundit