“Bashkëpunim me mafien shqiptare”, në Angli nisin hetimet për Granit Xhakën

Ndaj mesfushorit shqiptar, Granit Xhaka ka nisur një hetim, pasi dyshohet sa ka bashkëpunuar për trukim në ndeshjen mes Arsenal dhe Leeds në dhjetor të vitit 2021. Sipas “The Sun”, dyshohet se lojtari ka qenë i përfshirë në një komplot të dyshimtë kriminal, ku përmendet edhe mafia shqiptare.

Gjithçka lidhet me një karton të verdhë të marrë nga Xhaka në minutën e 86-të të ndeshjes më 18 dhjetor 2021. Lojtari u vonua 20 sekonda në ekzekutimin e një goditje dënimi, veprim për të cilin u ndëshkua me kartonin e verdhë.

Pas Federatës Angleze, për këtë ka nisur një hetim edhe Agjencia Kombëtare e Krimit në Angli, pasi dyshohet se Xhaka ka bashkëpunuar me mafien shqiptare dhe një ish-lojtar shqiptaro-suedez. Është zbuluar se për sfidën Arsenal-Leeds, ishte vendosur një bast prej 65 mijë paundësh, që Xhaka të ndëshkohej në ndeshjen e 18 dhjetorit dhe fitimi ishte 250 mijë paund.

Gjithashtu thuhet se u vendos edhe një tjetër bast prej 52 mijë paundësh për karton të verdhë në 10 minutat e fundit. Bëhet e ditur, se shumat janë paguar në Shqipëri, ndonëse bastet sportive në vendin tonë janë të mbyllura nga 1 janari i 2019.

Agjencia Kombëtare e Krimit, po punon për të zbuluar edhe disa pretendime, ku thuhet se ish-futbollisti Alban Jusufi, i ka dhënë një shumë të majme Xhakës për të bashkëpunuar. Ish-sulmuesi shqiptaro-suedez, i dënuar me pesë vjet pezullim për trukim ndeshjesh nga gjykata suedeze në vitin 2017, bëri shuma të mëdha duke vënë bast që Xhaka të ndëshkohej.

Në 2017, 41-vjeçari u shpall fajtor për korruptimin e portierit të AIK-ut, Kyriakos Stamatopoulos, me 150,000 paund për të mos luajtur mirë përpara një derbi kundër IFK Gothenburg në 2017-ën. Federata e Suedisë e shtyu ndeshjen pasi u raportua trukimi i saj.

Gjatë karrierës si futbollist, Jusufi ka luajtur me skuadra si Malmo, Trelleborg, Klippans, Hogaborg dhe Rossjoholm në Suedi si dhe me Vllaznina në Shqipëri në sezonin 2008-2009.

Të Fundit