Lulzim Basha, zhvilloi një takim me sipërmarrësit në Lezhë, ku prezantoi programin e grupimit të tij në mbështetje të biznesit dhe zhvillimit ekonomik.
Basha theksoi se programi i tij është i fokusuar në krijimin e mundësive të reja përmes taksës së sheshtë 9%, si dhe duke eliminuar “taksën Rama” prej 240 lekësh nga çmimi i karburanteve. Ai argumentoi se këto masa do të fuqizojnë prodhimin vendas, do të rrisin investimet, do të krijojnë vende të reja pune dhe do të çojnë në rritje të pagave për shqiptarët.
“I dëgjoj me vëmendje shqetësimet e sipërmarrësve dhe problematikat e panumërta me të cilat përballen prej gjendjes në të cilin ndodhet ekonomia e vendit, për shkak të politikave të gabuara, keqmenaxhimit, klientelizmit dhe korrupsionit. Ne jemi të bindur se ekonomia shqiptare meriton më shumë dhe kemi ndërtuar një ofertë që i përgjigjet nevojave të biznesit për të krijuar mundësi të reja zhvillimi. Programi i Demokratëve Euroatlantikë, fryt i punës i ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, energjizon sipërmarrjen shqiptare, nxit rritjen ekonomike, i jepë frymëmarrje tregut të lirë dhe prodhon mirëqenie për familjet shqiptare. Përmes taksës së sheshtë 9%, tatim fitimin 9%, dividendin 9% dhe me eliminimin e “taksës Rama” prej 240 lekësh nga çmimi i karburanteve, do të gjenerojmë një zhvillim që do të ndihet në xhepin e çdo shqiptari. Ulja e taksave do të fuqizoj prodhimin vendas dhe do çliroj potencialin e sipërmarrjeve, duke i lehtësuar nga dora e rëndë e një shteti arbitrar. Këto masa, të shoqëruara me eliminimin e tarifave të panevojshme, e reduktimin burokracive raskapitëse dhe luftën agresive ndaj korrupsionit, do prodhojnë rritje të aktivitetit ekonomik, rritje të invesitmeve, rritje të punësimit dhe rrijte të rrogave. Shqipëria meriton më shumë!”- deklaroi Basha në postimin e tij.