Basha në Shkodër: Nuk ka as PS e as PSD, por vetëm një regjim që vodhi zgjedhjet dhe të ardhmen e shqiptarëve

Kreu i PD, Lulzim Basha vijon turin e takimeve pas zgjedhjeve të 25 prillit duke u ndalur sot në Shkodër.

Basha ka vijuar akuzat ndaj Edi Ramës dhe Tom Doshit, duke thënë se në zgjedhjet e 25 prillit nuk pati as PS e as PSD, por një regjim që vodhi zgjedhjet.

Ai thekson se e kupton mërzinë e shkodranëve, por shprehet se ata janë të gatshëm për të hedhur hapin tjetër.

Basha ka premtuar se do e çojë betejën e 25 prillit deri në fund pasi pretendon se zgjedhjet ishin një masakër elektorale ku u vodhën e manipuluan votat.

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA,  NË TAKIMIN ME DEMOKRATËT NË SHKODËR

Mirësejugjej zonja dhe zotërinj! Mirë se ju gjej drejtues, kryetarë të degëve të Partisë Demokratike të qarkut të Shkodrës! Zonja kryetare e Bashkisë, kandidat për deputet, drejtues të strukturave, kryetar të grupseksioneve, anëtarë të kryesisë, të rinj dhe të reja,

I nxitur edhe nga mesazhet tuaja nga shumë prej jush, ndoshta disa nuk ndodhen këtu, anëtarë, demokratë, por që i përfaqësoni ju, edhe prej një nxitje të brendshme se disa fjalë nuk mund t’i thoja në vend tjetër përveçse këtu në Shkodër, sikundër disa fjalë të tjera s’mund t’i thoja askund tjetër përveçse në Elbasan e kështu me radhë.

Prandaj ndodhem sot këtu me një mesazh të qartë dhe shpresoj jo fortë të gjatë, por për të cilin dua t’ju shoh në sy dhe kërkoj vëmendjen tuaj të plotë.

Sepse e di që jeni të mërzitur, e di që jeni të zhgënjyer, e di që jeni të zemëruar, sikundër e di që jeni të gatshëm, siç ka qenë Shkodra përherë për hapin tjetër.

 Më lejoni pra ta filloj arsyen e vërtetë pse ndodhem sot këtu, nuk jam këtu as për të kërkuar simpatinë dhe as

duartrokitjet tuaja, sepse në fakt duartrokitjet janë për ju dhe për mijëra demokratë të Shkodrës që qëndruan në këtë betejë në mënyrën më të fuqishme, në rrethanat më të pamendueshme. Dhe që ta them këtë në qytetin ku kam ardhur çdo 2 prill, me përjashtim të këtij viti për shkak të agjendës elektorale për t’u përkulur përpara katër martirëve, është guxim i madh.

Por më lejoni të shprehem se pse i them këto fjalë dhe pse mendoj kështu.

Sot nga Shkodra e krenarise kombetare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së.

Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare.

E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive  si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit.

Si asnjë herë tjetër, shteti u përvesh me të gjitha mjetet në aleancë me krimin kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve.

Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës.

Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi.

Të Fundit