Basha në Dibër: Lufta e Berishës për interesat personale është luks për Ramën

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, nga Dibra, deklaroi se Sali Berisha i vendosi interesat e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.

Sipas Bashës lufta e Berishës për interesat personale është luks për Edi Ramën.

“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja non grata e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës. Por në fund, njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.

Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet. Në vend që t’i mobilizojmë gjithë shqiptarët në betejë, dëgjojmë të njëjtat gënjeshtra që qarkullohen e riqarkullohen nga ata që po luftojnë për karrige. Për fat të keq, me vendosjen e interesave personale, mbi interesat e demokratëve dhe mbi interesat e shqiptarëve, ajo që ka ndodhur këto tre muaj dhe ai që e ka shkaktuar po i shërbejnë pikërisht kësaj. E ku ka luks më të madh për Edi Ramën, sesa në një kohë që duhet të shpalosim një betejë frontale kundër tij dhe qeverisë së tij, demokratët të merren me njëri-tjetrin. Ku ka luks më të madh për Edi Ramën sesa në vend që të ushtojë Shqipëria nga protestat për skandalin e inceneratorëve, lartë e poshtë dëgjohen zëra të atyre që vetëm kanë përfituar në kurriz të demokratëve, vetëm kanë përfituar mbi sakrificat e demokratëve dhe pushtetin e marrë mbi sakrificat e tyre dhe që sot janë gati të bëjnë gjithçka për karrige. Ku ka luks më të madh për Edi Ramën, sesa nga mëngjesi deri në darkë si një telenovelë turke pa fund e pa fillim, në vend që të flitet për problemet e shqiptarëve, në vend që t’i mobilizojmë dibranët dhe gjithë shqiptarët në betejë”,-Basha.

Të Fundit