“Partia s’mund të jetë bunker e interesave personale”
Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbrojtur edhe një herë vendimin e tij për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar, duke theksuar se me të ai shpëtoi Partinë Demokratike nga përçarja. Ai tha se nuk do të lejojë askënd që ta kthejë Partinë Demokratike në bunker të interesave personale.
“Zotit Noka, i kam komunikuar shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Komisionit të sigurisë.nuk e kam përjashtuar por e kam paralajmëruar. Sepse nuk mundet që PD që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi. Kemi lançuar iniciativa të shumta opozitare dhe do të lançojmë të tjera për të zhbërë dhe gërryer themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi. Nuk mund të mbetemi peng nga axhenda personale që kërkojnë ta kthejnë PD në një bunker për interesa personale të kujtdoqofshin këto.
Beteja është të mos shkelmojmë sakrificat e demokratëve. Kjo është arsyeja pse kam marrë një vendim në datën 9 Shtator në përputhje të plotë me përgjegjësitë e detyra e kryetarit të PD për të shmangur çdo tollovitjeje dhe mundësi përçarje të cilës i fryn Edi Rama dhe regjimi i tij. A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së e PD? Pa diskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dalë dot ta pastrojmë.
Që këto para të vëna me praktika korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne t’i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e PD se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme.
Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve”, tha Basha./tvklan.al