Kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi mesditën e sotme një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Bujqësor, me të cilët ndau objektivat e PD kur të vijë në pushtet.
Teksa akuzoi qeverinë për krizën në të cilën sipas tij gjenden sidomos të rinjtë, kreu i PD tha se sfida e parë për këtë parti kur të vijë në pushtet është të ndalë largimin e të rinjve nga vendi, të cilët i cilësoi edhe si resursin më të madh për zhvillimin e ekonomisë.
“Ne kemi shumë asete natyrore që shumica nuk janë vënë në punë, por aseti i parë është rinia.
Nëse flasim për zhvillimin e turizmit e para është hartimi i një plani strategjik që turistët ta zgjedhin Shqipërinë si një destinacion i favorshëm në krahasim me fqinjët.
Forca jonë për të tërhequr turistin cilësor, që vjen dhe paguan gjatë pushimeve, dhe ajo që është disazvantazhi ynë aktualisht është në platformën tonë avantazhi ynë për të nesërmen; duhet të kemi kapacitete njerëzore.
Këtu na duhet profesionalizmi i inxhinierëve të ambientit dhe ndaj duhet që këtë kapacitet të bëjmë pjesë të zhvillimit të vendit. Është detyra e qeverisë të ndalë katastrofën e largimit të të rinjve. Plani ynë është që këtë potencial ta vëmë në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës.
Pengesë është një qeveri që ka dështuar të çojë përpara qoftë edhe një fushë të vetëm të ekonomisë”, tha kreu i PD.