Bardhi mesazh deputetëve të PD-së: Të hënën do të bojkotojmë komisionet parlamentare

Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë ditën e hënë çdo komision parlamentar.

Ky vendim vjen pas urdhrit të lëshuar nga kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, përmes një mesazhi të shpërndarë tek anëtarët e PD-së.

Vendimi është marrë pas seancës së fundit parlamentare më 6 nëntor, ku u miratua ligji për Barazinë Gjinore.

Bojkoti është i përkohshëm, derisa PD të marrë një vendim përfundimtar për mënyrën e qasjes ndaj mazhorancës.

Mesazhi i Bardhit

“Nesër, e hënë, datë 10.11.2025, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ora 12:30, nuk duhet të mungojë askush. Nesër, derisa grupi të vendosë, asnjë deputet nuk merr pjesë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky është një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar, derisa të merret vendim final”, thuhet në mesazhin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së.

Seanca e 6 nëntorit shkaktoi debat dhe përfshiu edhe aktorë të diplomacisë ndërkombëtare.

Deklaratat e kryedemokratit Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato sollën reagimin e komisioneres për zhvillim, Marta Kos, dhe të kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi falje në emër të kundërshtarit politik.

Të Fundit