Bardhi: Kërkova të ngujohemi në seli, por Salianji vendosi të shkonte në burg

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi njoftoi sot se u kërkoi kolegëve që të ngujohen në seli dhe Ervin Salianji të mos dorëzohet për të vuajtur burgun. Por, tha më tej ai, Salianji vendosi që të shkonte për të bërë burgun, të cilin, Bardhi e cilësoi sakrificë.

“Në përfundim të mbledhjes së grupit të PD-së, dua të ndaj me ju qëndrimin e grupit lidhur me vendimin e djeshëm politik të urdhër drejtpërdrejtë nga Edi Rama në seancën e 12 shtatorit dhe të shpallur dje nga një trupë e gjykatës së Apelit.

Për ne, vendimi i djeshëm është akt i mirëfilltë politik, hakmarrje e grupeve kriminale ndaj deputetit të opozitës që i drejtoi gishtin lidhjeve të Ramës me krimin e organizuar. Ndaj kësaj ne nuk duhet të pajtohemi dhe nuk duhet të nënshtrohemi; qëndrimi unanim ka qenë kërkesa drejtuar Salianjit që të mos e zbatojë vendimin politik të Ramës.

Vendimi unanim ka qenë që ‘është detyra jonë e grupit parlamentar, prandaj grupi sugjeroi ngujimin pa afat dhe ndërprerje në selinë e PD-së. Padyshim ky ishte vendimi politik i grupit, por ne jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të Salianjit që me të keqen të përballet edhe me koston e të shkuarit në mënyrë të padrejtë në burgun politik që i ka caktuar Rama. Kjo sakrificë e kolegut Salianji” tha ai.

Të Fundit