Barazia gjinore, Berisha: Ligji duhet të bëhet me referendum

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim për mediat këtë të mërkurë, komentoi projektligjin e propozuar nga mazhoranca mbi barazinë gjinore në vend.

Ai paralajmëroi se nëse do të vijnë në pushtet, PD do e rrëzojë menjëherë dhe do e abrogojë, pasi ky është një ligj që kërkon patjetër referendum.

“Unë dua ta përshëndes këtë raport dhe ta garantoj KE se adresimi i këtyre çështjeve do jetë objektiv i betejës së opozitës pa kompromis dhe i pandërprerë. Kurrë nuk mund të mendojë kjo parti të mos jetë për barazinë midis burrit dhe gruas, midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait. Dhe nuk ka betejë më fisnike se beteja për këtë barazi. Por këta shpërbënë gjininë. Ne do bëjmë gjithçka për të bërë një diskutim të strukturuar për këtë çështje, e cila nuk mund të bëhej kurrë pa referendum. Kjo, minimumi donte një referendum”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, pas ligjit fshihet George Soros, i cili po përpiqet që të zhdukë familjen tradicionale dhe të krijojë më shumë sesa 2 gjini.

“Këta kanë marrë doktrinën post-marksiste të George Sorosit dhe luftojnë kundër gjinive. Kultura Woke kërkon të imponohet me ligj ndaj shqiptarëve. Ju e patë, në komision arriti puna, Shalsi që është një skllav mjeran i vjedhjeve të tij, e njohur kjo, shumë e njohur, ka qenë në bashki ai, por nuk po ia numëroj historitë personale”, shtoi Berisha.

Lideri i opozitës kujtoi gjithashtu se edhe liderët e komuniteteve fetare ishin të gjithë kundër këtij ligji, por mazhoranca pasi i dëgjoi, tha të kundërtën, duke e kaluar fshehurazi.

“Edhe ne kemi kaluar ligj, por lexojeni, kanë qenë të gjitha komunitetet fetare dakord. Ne nuk merremi me orientimin seksual, jo. Por ligj që ta kundërshtojnë komunitetet fetare dhe ta votojmë, jo, ne i respektojmë dhe i dëgjojmë ata. E kanë kundërshtuar të gjitha komunitetet fetare. Ne nuk bëjmë eksperimente, ndaj do jemi të përgatitur. Të mbrojmë barazinë gjinore, të vërtetën, nuk jemi kurrë për diskriminimin e familjes”, tha ai.

Të Fundit