Në zemër të Rrajcës, trashëgimia kulturore nuk është vetëm kujtim, por jetë e përditshme. Veshjet popullore që dikur përdoreshin në dasma e festa sot ruhen me përkushtim nga gratë e zonës, të cilat i punojnë ende me dorë siç i kanë trashëguar nga nënat dhe gjyshet e tyre.
– Advertisement –
Kjo pasuri shpirtërore e Rrajcës nuk ndalet vetëm tek veshja. Edhe vallja e saj, me hapat e veçantë dhe ritmin karakteristik, mësohet që në vegjëli, duke u bërë pjesë e pandashme e identitetit të banorëve të kësaj zone.
Banorët e Rrajcës kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta përfshirë këtë trashëgimi të vyer në listën e UNESCO-s, si një pasuri kulturore jo materiale që i përket gjithë njerëzimit. Por rruga drejt njohjes ndërkombëtare kërkon më shumë se sa pasion, kërkon mbështetje konkrete nga institucionet.
“Ajo që është e rëndësishme është se janë disa valle burra dhe grash, të rinjsh dhe të moshuarish ku në krye të kësaj historie qëndron mjeshtri i madh Sadi Halili. Veshja dhe vallja rrajcare, të mbrohen në UNESCO. Përpjekje janë bërë por gjë nuk është arritur”, thotë Flori Karaj, koreograf.
“Rrajca ka dominuar në shkallë vendi, në evente të ndryshme, në festivale por edhe në botë. Është Rrajca, nuk bëhet fjalë vetëm për një valle po për shumë valle. Është një vlerë e trashëguar dhe duam që ta trashëgojmë dhe brezave. Vallja e Rrajcës është mbretëreshë”, shprehet Destan Myftari, studiues
Duhet që Ministria e Kulturës, pushteti vendor dhe organizatat për trashëgiminë të japin ndihmën e duhur për ruajtjen dhe promovimin e kësaj vlere unike, sepse Rrajca nuk kërkon vetëm të ruajë traditat për vete, por të ndajë me botën një pjesë të shpirtit të saj.