Banka Botërore: Shqipërisë i duhen 20 vite për të hyrë në grupin e vendeve të pasura

Shqipërisë do t’i duhen të paktën 20 vite për të hyrë në grupin e vendeve me të ardhura të larta. Në raportin më të fundit të Bankës Botërore për rajonin, që përfshin 11 vende nga Azia Qendrore deri në Europën Lindore, thuhet se të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin rreth 8,500 dollarë në vitin 2023.

Por për të kaluar në kategorinë e vendeve me të ardhura të larta, ky nivel duhet të kalojë pragun e 14 mijë dollarëve, dhe, sipas projeksioneve, Shqipërisë do t’i duhen të paktën dy dekada për ta arritur këtë.

Në klasifikimin e Bankës Botërore, vendet ndahen në katër kategori sipas të ardhurave: Të ulëta, mesatare të ulëta, mesatare të larta dhe të larta. Shqipëria ndodhet aktualisht në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta, me një nivel që varion nga 4,500 deri në 14,000 dollarë për frymë në vit.

E nëse kalojmë përtej të ardhurave dhe flasim për cilësinë e jetesës, rruga drejt standardeve europiane duket edhe më e gjatë. Sipas BERZH, Shqipërisë mund t’i duhen mbi 50 vite për të përmbushur kushtet e jetesës që sot gëzojnë vendet e Bashkimit Europian.

Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë më pranë këtij objektivi, me një afat prej 10 deri në 18 vite për ta përmbushur atë.

Raporti thekson se vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, përballen me sfida të mëdha për të kapërcyer hendekun ekonomik me vendet më të zhvilluara.

Vështirësitë në sistemin ekonomik, pasojat e pandemisë dhe zhvillimi më i ngadaltë se potenciali që ka, janë disa nga arsyet kryesore, sipas Bankës Botërore që e pengojnë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit të ecin më shpejt drejt mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Të Fundit