Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, nga Tirana pranoi se reforma e vitit 2014 për pensionet e ka përmirësuar ndjeshëm këtë sistem.
Por, theksoi ajo, informaliteti i lartë dhe nëndeklarimi i pagave ende po dëmtojnë pensionet.
“Si shumë vende të tjera të Evropës dhe Azisë Qendrore Shqipëria ka pësuar ndryshime, por nga ana tjetër migrimi është në shkallë të lartë, informaliteti në shkallë të lartë, mosdeklarimi i të ardhurave cenojnë edhe përmbushjen e detyrimeve sa i takon pagimit të kontributeve të pensioneve”.
E pranishme në konferencën ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Yu, vlerësoi qeverinë shqiptare që e ka vendosur në krye të reformave, reformën e pensioneve.
“Politikat e pensioneve që bëhen sot do të ndikojnë tek pensionistët e së ardhmes dhe kontribuuesit dhe kjo të ndihmon të kesh një vizion afatgjatë dhe ti japësh një zgjidhje kësaj vështirësie për të arritur mjaftueshmëri në vendosjen e barazisë midis brezave, qëndrueshmëri buxhetore dhe ndikimin makroekonomik”.
Yu vuri në dukje se qeveria e Shqipërisë e mori përsipër t’i japë zgjidhje kësaj sfide që me reformën e viti 2014 që e ka përmirësuar ndjeshëm reformën e pensioneve duke modifikuar formulën e pensioneve që ka fuqizuar lidhjen midis kontributit dhe pagesës së pensionit. Gjithashtu ka futur edhe një pension social duke i dhënë zgjidhje varfërisë në pleqëri.
“Skema e pensioneve të 2014 e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve por emigrimi, Informaliteti shumë i lartë dhe nën deklarimi i pagave po dëmton pensionet. Pensionet private duhet të kenë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë. Ndryshimet në skemën e pensioneve do të kenë sukses vetëm nëse publiku e kupton nevojën për reformën e pensioneve. Informimi i publikut është më rendësi publike për pasjen e suksesit, keni mbështetjen tonë tek për reformën e sistemit të pensioneve”, ravijëzoi Yu.
Gonxhja: Lufta kundër informalitetit rriti me 47,3 % numrin e kontribuuesve në skemën e pensioneve
Në fjalën e tij ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se qeveria po punon për të udhëhequr transformimin ekonomik drejt një modeli nga i cili përfitojnë të gjithë, me fokus të veçantë tek shtresat në nevojë dhe pensionistët.
Gonxhja tha se falë luftës sistematike antiinformalitet dhe ritmit pozitiv të zhvillimit ekonomik në vend, numri i kontribuuesve është rritur me 47,3 %, duke arritur në 826 mijë e 928 kontribuues, nga 561 mijë e 169 kontribuues në vitin 2013.
“Kjo është një sfidë që lidhet me reformimin e tregut të punës, me luftën ndaj informalitetit të çdo forme, me mentalitetin tonë, me lindshmërinë e ulët, me kushtet dhe kostot e jetesës, me aksesin e biznesit në financë dhe investimet, me migracionin, me inovacionin dhe konkurrueshmërinë, me edukimin profesional, me teknologjinë dhe modernizimin e shërbimeve, e deri te integrimi kulturor e kohezioni social, pra me rimodelimin dhe riinxhenierimin e ekonomisë sonë”.
Sipas tij, reforma e skemës apo e sistemit të pensioneve të një vendi, kërkon përgjegjësimin e tërë hallkave të shtetit, ekspertëve dhe mbarë shoqërisë.
“Në vitin 2014, edhe me asistencën e Bankës Botërore, kjo qeveri ndërmori reformën më të thellë dhe më domethënëse të pensioneve dhe ndonëse sot ne jemi të ndërgjegjshëm se suksesi i jashtëzakonshëm i saj nuk mundej dot të kënaqte çdo pensionist, duhet të jemi të sigurt se pa atë reformë situata e pensioneve do të kishte shkuar shumë më keq”.