“Ballkani i Hapur”, Rama: Mosdakordësi me Albinin në këtë pikë, por marrëdhëniet tona nuk ndikohen – Stop
Lajme, Të Gjitha

“Ballkani i Hapur”, Rama: Mosdakordësi me Albinin në këtë pikë, por marrëdhëniet tona nuk ndikohen

Kryeministri Edi Rama e dënoi sjelljen e ushtrisë serbe në veri të Kosovës, duke e cilësuar si manovra teatrale ushtarake.

Në një konferencë të përbashkët me homologun kosovar, Albin Kurti, Rama tha se qëndrimi i Shqipërisë është me Kosovën dhe se sipas tij Serbia është ajo që duhet të njohë realitetin.

“Çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë tona në vizitën e Asamblesë.

Nuk ka asnjë diskutim dhe në radhë të parë është Serbia që duhet ta njohë këtë realitet dhe është për të ardhur keq që në vend të njohjes së Kosovës, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake në veri të Kosovës.

Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës siç pretendohet nga Beogradi dhe disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë. Që sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që po mbrohet integriteti.

Qytetarët serbë nuk janë të kërcënuar nga askush dhe madje u paguhen faturat e dritave nga qeveria e këtij shteti këtu.

Aplikimi i reciprocitetit të targave është një normë elementare e të drejtës legjitime e shtetit të Kosovës, por është dhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive.

Dua ta them dhe këtu sot qëndrimin e Republikës së Shqipërisë, që mbetet i pandryshuar që kur u shfaq ky konflikt, e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë.

Serbia nuk ka asnjë të drejtë që të ktheje targat e përdorimit të përditshëm në një përdishmëri konfliktuale ku mizën e bënë buall. A thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë dhe nga ana tjetër dua të përsëris qëndrimin tonë se tanimë që problemi është shtruar, duhet bërë kujdes se çuarje e njësive speciale në atë zonë të mos kthehet në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve ndërkombëtare.

Më tej Rama u shpreh se qëndrimi i Shqipërisë në këtë situatë është me Kosovën. Kryeministri Rama u shpreh se sipas tij mundësia më e mirë është dialogu i barabartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu ai bëri me dije se çështja e Kosovës është përparësi e Shqipërisë në OKB.

“Shqipëria ndan bindjen që duhet zgjidhur me dialog . Natyrisht që duhet të jemi të qartë që I takon kryeministrit të Kosovës të vendos, ajo që unë mund të them është që kjo është një mundësi e mirë për të treguar gatishmërinë për dialog të barabartë.

Thellim bashkëpunimi mes dy shteteve dhe mund të them se jemi të motivuar që këto marrëdhënie të shkojnë në nivel tjetër dhe gjithë ato marrëveshje të zbatohen.

Sot kemi dakordësuar për vendosjen e një personi kyç si koordinator I kësaj përpjeke të përbashkët I cili do të jetë i lidhur me institucionet tona, ka dy pasaporta, gëzon besimin e plotë të dyve.

Do jetë një ndihmë për të mos lejuar që burokracia të bëjë atë që bën gjithmonë. Duam të konfirmojmë vullnetin e plotë që marrëdhëniet mes dy qeverive tona të lidhin edhe më fort dy shtetet shqiptare.

Në javën e fundit të nëntorit do të mbahet mbledhje në Durrës.  Çështja e Kosovës është përparësi e Shqipërisë në OKB, pas marrjes së pozicionit si anëtare jo e përkohshme e Këshillit të Sigurisë.

Ndërkohë në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe “Open Ballkan”, Rama u shpreh se tani është mëse i bindur se kjo është rruga e përbashkët për të mirën e përbashkët.

Ai u shpreh i bindur se është e pashmangshme dita kur Serbia do të njohë Kosovën.

“Kam pas shumë mesazhe këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht toneve, thelbi ishte: ‘po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë?’.

Por tani jam dhe më i bindur që ‘Ballkani  Hapur’ është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët.

Natyrisht që kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, por kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë, marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre se kemi këtë mosdakordësi.

Themeli i dakordësisë sonë është kombëtare, vëllazërore dhe përtej çdo mosdakordësie tjetër politike. Është e pashmangshme dita kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të vijë kërkesa e pashmangshme e faljes nga Serbia për krimet e paharrueshme në Kosovë.

Pyetja është çfarë mund të bëjmë ne për ta afruar atë ditë. Por këto arsyetime nuk janë kurrsesi arsye për të vënë në pikëpyetje dashurinë për atdheun dhe vëllazërinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Dashurinë për Shqipërinë nuk e kam ndarë nga dashuria për Kosovën”,

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *