Balla paralajmëron shoferët: Kush parakalon mjetin që transporton nxënës do penalizohet dyfish

Ministri i Brendshëm Taulant Balla duke pasur si qëllim rritjen e sigurisë në shkolla,ka deklaruar se, shoferët e mjeteve do të përballen me sanksione më të rënda nëse në perimetrin e sigurisë në shkolla do të ecin me shpejtësi apo do të bëjnë parakalime.

Po ashtu Balla  tha se nuk duhet të parakalohet mjeti që transporton nxënës, pasi në të kundër ata do të penalizohen dyfish.

“Kur gjyshërit prindërit dërgojnë fëmijët në shkollë ata ja besojnë fëmijën shtetit. Shteti ka gjithë përgjegjësinë për të garantuar të gjitha dimensionet e sigurisë.  Kur nisëm paketën e sigurisë në shkolla objektivi kryesor lidhej me përdorimin e lëndëve narkotike tek të miturit dhe të rinjtë. Goditja e këtij rrjeti ka qenë dhe mbetet një prej sfidave kryesore. Në shtator të vitit të kaluar një shqetësim ishte përdorimi i oksidit të azotit, i cili deri në atë kohë nuk ishte i ndaluar, ndërsa tani është i ndaluar dhe ato pamje shqetësues i përkasin së shkuarës. Nuk duhet të harrojmë se ashtu sic perfeksionojmë ne parametrat e sigurisë edhe ata keqbërës perfeksionojnë qasjen e tyre duke shkuar në lëndë të tjera narkotike, ku sfida jonë është qasja që duhet të kemi ndaj drogave sintetike.

Qasja jonë është të rrisim penalitetet që lidhen me parashikimet e kodit rrugor brenda perimetrit të sigurisë në shkolla. Në momentin që ti kalon me shpejtësi në hyrje të shkollës ti je në limitet e kryerjes së një vepre penale.

Do ti takojë kuvendit që ta diskutojë këtë, unë jam një prej 140 votave, duhet të jemi të ashpër ndaj cdo shkelësi pranë shkollave.

Kur ti parakalon në mënyrë të papërgjegjshme autobusin e nxënësve nuk mund të penalizohesh njësoj. Duhet të jetë dyfish më i lartë.

Këtej e tutje kush parakalon autobusin e nxënësve ta ketë dy herë më shumë frikë sesa mjetin e kryeministrit, ministrit apo presidentit”, tha ministri Taulant Balla

Të Fundit