Nga Brukseli, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka publikuar një videomesazh ku u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve mbi ndikimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht për sa i përket investimeve dhe zhvillimit ekonomik.
“Një qytetar më pyeti se si dhe sa do të rriten investimet në Shqipëri me anëtarësimin në BE. Së pari, po bëj një krahasim: ku ishim dhe ku jemi sot,” u shpreh Balla.
Ai kujtoi se në shtator të vitit 2013, kur Partia Socialiste mori drejtimin e qeverisë, investimet e huaja direkte nga vendet e Bashkimit Evropian ishin vetëm 284 milionë euro në vit. Sot, kjo shifër ka arritur në 920 milionë euro në vit, ose tre herë më shumë.
“Stoku i investimeve të Bashkimit Evropian deri në 2013 shkonte diku tek 2,9 miliardë euro.
Ndërkohë sot është rritur me gati 2,5 herë në pikun e vet historik prej 7,3 miliardë euro, ndërsa objektivi ynë është ta çojmë në 10 miliardë deri në fund të mandatit tonë të ri që nisim së bashku më 11 maj.”
Sa i përket eksporteve “Made in Albania” drejt BE-së, Balla theksoi se ato ishin 1,2 miliardë euro në 2013 dhe janë më shumë se dyfishuar, duke arritur në 2,7 miliardë.
“Gjatë periudhës 2014 – 2020 fondet e Bashkimit Evropian të përfituara nga Shqipëria ishin 1 miliard euro.
Dhe pak vëmendje këtu, pasi pas anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të përfitojë direkt mbi 1 miliard euro në vit. Nga të cilat 300 milionë vetëm për bujqësinë, si dhe do të përfitojnë shumë herë më tepër nga aplikimet në programet e tjera brenda buxhetit të Bashkimit Evropian.”
Në fund të mesazhit të tij, Taulant Balla i bëri thirrje qytetarëve:
“Na duhet patjetër më 11 maj një votë e fortë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, me numrin 5, për të realizuar të gjitha këto objektiva të rëndësishme në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”