Në 82-vjetorin e Masakrës së 4 Shkurtit 1994, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të dëshmorëve të rënë.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se kjo masakër përbën një nga ngjarjet më të rënda të historisë së Tiranës, një akt barbar i terrorit nazist dhe i bashkëpunëtorëve të tij, i kryer ndaj qytetarëve të pafajshëm vetëm për besimin e tyre në liri, dinjitet dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Ai nënvizoi se kjo ngjarje nuk mund të kuptohet e shkëputur nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, një moment vendimtar në historinë kombëtare që rreshtoi Shqipërinë pranë koalicionit antifashist botëror. Balla shtoi se sakrifica e partizanëve shqiptarë e bëri Shqipërinë një aleate të vogël në përmasa, por të madhe për qëndresë dhe për gjakun e derdhur.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS theksoi gjithashtu rrezikun e relativizimit të historisë, duke theksuar se çdo tentativë për të errësuar Luftën Antifashiste, për të vënë në diskutim 29 Nëntorin apo për të barazuar çlirimtarët me bashkëpunëtorët e pushtuesit, është një fyerje ndaj dëshmorëve dhe familjeve të tyre.
Në përfundim, Balla riafirmoi se nderimi i dëshmorëve të 4 Shkurtit dhe i të gjithë të rënëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është një detyrim moral, historik dhe institucional, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të shtetit për mbështetjen dhe vlerësimin e familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve.



