Babai i pesë fëmijëve digjet i gjallë brenda Tesla-s në flakë, pas bllokimit të dyerve elektrike

Një 48 vjeçar baba i pesë fëmijëve ka humbur jetën në zjarrin e makinës së tij elektrike Tesla pas një aksidenti, pasi dorezat elektronike të mjetit nuk u hapën nga jashtë dhe zjarrfikësit nuk mund ta shpëtonin, thuhet në padinë e dorëzuar për ngjarjen.

Dr Omar Awan vdiq në ngjarjen e shkurtit 2019 pasi përplasi mjetin e tij model Model S në Florida, SHBA.
Doktori 48-vjecar i kishte mbijetuar përplasjes fillestare por tani familja po padisin kompaninë duke thënë se vdekja erdhi si rezultat i zjarrit dhe thithjes së tymit, që mund të ishte evituar nëse nuk do të kishte dështim të dorezave të dyerve.
Mjetet Tesla kanë doreza të veçanta thuajse të padukshme, që qëndrojnë shesh me trupin e makinës.
Ato fshihen të mbyllura kur automjeti është në levizje dhe dalin jashtë kur mjeti ndalon për të lejuar që njerëzit të futen ose të dalin.
Pas përplasjes zjarrfikësit nuk mund të hynin në automjet pasi dorezat nuk ishin ngritur.
Një ekspert i Tesla tha se dorezat e dyerve të makinës ngrihen automatikisht “edhe në rast aksidenti”.
Por oficerët e policisë thanë në raportin e tyre se “në këtë rast dorezat e dyerve ishin të mbyllura.”
Sipas raportit të policisë, Awan në kohën e aksidentit po drejtonte me më shumë se 120 km në orë.
Tesla mohon pretendimet në padi duke thënë se makina funksiononte plotësisht dhe se vdekja e Awan ka ardhur për fajin e tij.
Por bashkëshortja e Awan tha asokohe për rrjetin NBC South Florida: “Ai mund të kishte shpëtuar, mund të ishte këtu me ne, me fëmijët e tij. Ishte vetëm 48 vjeç”.
Zëdhënesi i policisë tha gjithashtu për mediat: “Ata nuk gjenin dot një dorezë dere për të hyrë dhe nxjerë shoferin. Tentuan të thyenin xhamin e dritares por nuk arritën. Deri në atë pikë flakët ishin tepër të mëdha”.

Të Fundit