Babai i 17-vjeçarit, i cili u plagos ditën e premte me thikë në Sarandë, ka dhënë një intervistë për mediat, ku ka kërkuar nga autoritetet që të arrestojnë të gjithë personat që morën pjesë në plagosjen e të birit.
Sipas tij, konflikti ka nisur më herët, më 22 mars, kur djali i tij u godit disa herë me levë nga të njëjtët persona. Megjithatë, për shkak të frikës dhe presioneve, djali gënjeu policinë dhe familjarët duke u thënë se ishte rrëzuar nga shkallët.
Babai i të plagosurit tregon se më 27 mars djali i tij u sulmua sërish nga të njëjtit agresorë, duke u goditur këtë herë me thikë. Ai kërkon që policia e Sarandës të arrestojë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, ose ndryshe do të marrë vetë masa.
“Sherri ka ndodhur më datë 22 mars, kur shokët e djalit tim e çuan në spitalin e Sarandës. Unë e mora vesh pas një ore. Doktori i Sarandës lajmëroi policinë dhe djali u çua në polici për të dhënë dëshminë, por ata kishin ushtruar presion mbi të dhe ai nuk tha të vërtetën. I kishin thënë se po të thoshte të vërtetën në polici, do të vrisnin motrën dhe kushërinjtë që kishte në shkollën “Adem Sheme”. Djali nuk ma tha as mua të vërtetën. Ai më gënjeu edhe mua dhe policinë, duke thënë se ishte rrëzuar nga shkallët. Njëri e goditi me levë, kurse tjetri e goditi me thikë, duke e goditur në kokë me pjesën e thikës. Djali ishte vetëm. Më vonë, mora vesh këto detaje. Dje më morën vesh se djali ishte goditur me thikë dhe ishte në spital. Vajta aty dhe autori ishte kapur. Ata njiheshin me njëri-tjetrin nga lagjja. Po të jetë djali im fajtor, le të shkojë në burg. Në të kundërt, të arrestohet edhe autori i dytë, i cili e ka goditur ditën e djeshme, më 22 mars. Edhe nëse policia nuk merr masa, unë do t’i marr vetë,” tha babai i të plagosurit.
Gjendja shëndetësore e 17-vjeçarit është jashtë rrezikut për jetën, pasi thika nuk ka prekur organet jetësore. I riu është goditur tre herë me thikë, në stomak dhe në këmbë.