Babai akuzohet se abuzoi me vajzën në Fier/ Familja e së miturës apel për ndihmë, gjyshi i 12-vjeçares: Nuk e dija çfarë ndodhte!

Pas ngjarjes tronditëse në fshatin Sheqisht të Fierit, ku babai akuzohet për abuzim të rëndë seksual ndaj vajzës së tij 12-vjeçare, familja është përballë një situate të rëndë sociale dhe ekonomike.

Xhemal Ruko, gjyshi i 7 fëmijëve dhe babai i Juelës, nënës së tyre ,shprehet i shokuar dhe i pafuqishëm përballë kësaj tragjedie. Ai apelon për ndihmë nga institucionet shtetërore, por edhe nga bizneset që kanë mundësi të kontribuojnë. Sipas tij, pas arrestimit të të atit, fëmijët kanë mbetur të pastrehë e të pangrënë, ndërsa ndihma prej 200 mijë lekësh të reja nga bashkia dhe mbulimi i qerasë për një banesë që ende nuk është siguruar, nuk mjaftojnë për të përballuar nevojat bazë.

“Juela nuk ka mundësi të punojë, se më i vogli nga fëmijët është vetëm një vjeç. Jemi në një gjendje shumë të vështirë. Kërkojmë ndihmë nga kushdo që mundet.”, shprehet ai. Ruko ka bërë të ditur se nuk ka ende asnjë kontakt me mbesën e abuzuar, e cila ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë. Ai pohon se nuk ka qenë në dijeni të situatës dhe, po të kishte ditur më parë, do të kishte vepruar ndryshe.

“Nuk e dija fare çfarë po ndodhte. Po ta dija, nuk do e lija kështu”, theksoi ai. Ndërkohë, nëna e 7 fëmijëve endet rrugëve të Fierit me 6 fëmijët e tjerë, pa ushqim dhe pa strehë. Jashtë kamerave, Juela tregon se shërbimi social i bashkisë nuk e ka kontaktuar ende për të parë nga afër gjendjen e familjes. Në ndihmë të kësaj familjeje kanë qenë gazetarët fierakë, të cilët kanë reaguar të parët duke ofruar pako ushqimore, ndërsa një biznes lokal i është bashkuar thirrjes për ndihmë.

Të Fundit