Inteligjenca artificiale ka kaluar tashmë në një tjetër nivel, pasi një kompani pretendon se roboti i krijuar prej tyre do të luajë një rol të rëndësishëm në një çështje në gjykatë.
Nëse kjo ndodh do të jetë hera e parë që një robot do të përdoret si avokat. Lajmi u publikua në revistën “New Scientist”, ku shpjegohet se inteligjenca artificiale do të instalohet në telefonin e të pandehurit.
Roboti do të dëgjojë në gjykatë të gjithë procesin dhe më pas do të këshillojë të pandehurin përmes një kufjeje.
Programi është krijuar nga kompania “DoNotPay”, e cila thotë se ka krijuar avokatin e parë robot në botë. Në fillim, roboti ishte krijuar që të merrej me gjobat e parkimit të konsideruara të padrejta. Më pas, programi u zgjerua duke përfshirë shërbime të reja.
“Avokati i parë robot lufton korporatat, mposht burokracinë dhe padit këdo vetëm duke shtypur një buton”, thuhet në faqen zyrtare të kompanisë.
Çështja e parë ku do të marrë pjesë inteligjenca artificiale zhvillohet në shkurt, por sipas “New Scientist” nuk është bërë i ditur as vendi dhe as çështja.