Avokati Maks Haxhia: Nuk u vra vetëm një gjyqtar, por i gjithë sistemi i drejtësisë

Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, bëri homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra brenda ambjenteve të gjykatës së Apelit ndërsa ishte në krye të detyrës.

Pas homazheve, Haxhia deklaroi për mediat se kjo ngjarje nuk përfaqëson thjesht vrasjen e një gjyqtari, por të gjithë sistemit të drejtësisë në vend.

“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë,” u shpreh ai, duke e cilësuar situatën alarmante dhe duke kërkuar masa drastike për sigurinë në gjykata.

Haxhia shtoi se klima e urrejtjes në shoqëri është bërë shqetësuese dhe se për të rikthyer besimin, duhen reflektime të thella nga të gjitha institucionet e drejtësisë.

“Iku një njeri, familjar, baba, koleg dhe mik i mirë. Themi shpesh që dikush ishte i mirë, por Astrit Kalaja ishte realisht njeriu më human në sistemin e drejtësisë,” tha Haxhia.

Ai ndau gjithashtu edhe shqetësimet e gjyqtarëve pas ngjarjes, duke përmendur një deklaratë të drejtpërdrejtë nga një gjyqtare: “Na kanë nxjerrë në pritë.”

Sipas tij, një bojkot i sistemit të drejtësisë nuk duhet parë si qëllim në vetvete, por si një mënyrë për të dhënë alarmin dhe për të kërkuar garanci reale për sigurinë e njerëzve që shërbejnë në institucione.

Të Fundit