Avokati i Popullit ka çelur një hetim administrativ për të vlerësuar procedurat e arrestimit të Ilir Metës.
Avokati i Popullit do të vlerësojë procedurën dhe mënyrën e arrestimit të ish Presidentit.
Kujtojmë se Ilir Meta u tërhoq zvarrë nga automjeti i tij ndërkohë që ndodhej në autostradë duke hyrë drejt Tiranës.
Arrestimi i Metës ishte dukshëm i dhunshëm, madje pamjet filmike tregojnë një prej agjentëve që e godet në kokë, ndërkohë që është i rrethuar nga agjentë policie të maskuar.
Arrestimi i ish presidentit solli kritika të shumta nga opozita, për shkak të përdorimit të forcës ndaj një figure të lartë politike që nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri.
Policia nga ana tjetër, ka deklaruar se përdorimi i forcës ishte i nevojshëm për shkak se ish presidenti ka bërë rezistencë, megjithatë ende nuk është publikuar ndonjë provë filmike për ta dëshmuar këtë gjë.
Shoferi i Metës ka dëshmuar publikisht se janë rrethuar nga persona të maskuar dhe nuk janë ndjekur procedurat për identifikimin dhe paraqitjen e një vendimi gjyqësor për arrestimin.