Pasagjerët e një fluturim të American Airlines u evakuuan në pistën e një aeroporti në Kolorado, pasi një zjarr shpërtheu në aeroplan.
Pamjet e evakuimit treguan pasagjerë të grumbulluar në krahun e aeroplanit Boeing, disa duke mbajtur çanta, ndërsa flakët kishin përfshirë avionin.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e SHBA tha se pasagjerët përdorën rrëshqitës të fryrë për të zbritur në tokë të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit. Agjencia njoftoi se do të hetojë shkakun e incidentit.
Nuk pati lëndime të rënda, megjithatë, aeroporti konfirmoi se 12 persona u dërguan në spital për lëndime të lehta.
Fluturimi ishte nisur nga Kolorado Springs dhe po udhëtonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Dallas Fort Worth në Teksas, sipas një deklarate të FAA për BBC.
Avioni u devijua në Denver rreth orës 17:15, pasi ekuipazhi raportoi një “dridhje të motorit,” tha FAA. Pas uljes, avioni mori flakë ndërsa po udhëtonte në pistën e aeroportit.
American Airlines njoftoi se avioni kishte 172 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, të cilët u evakuuan të gjithë në siguri. Kompania shtoi se problemi lidhej me motorin e avionit.
Tymi dhe flakët ishin të dukshme nga disa pjesë të aeroportit, tha zëdhënësi i tij, Michael Konopasek, i cili shtoi se zjarri ishte shuar dhe nuk pati vonesa për fluturime të tjera.
Disa pasagjerë postuan video në rrjetet sociale, ku tregohet se si ata ecnin përmes tymit të zi që mbushte ajrin, duke u afruar drejt krahut të avionit, ndërsa ekuipazhi tokësor ishte duke nxituar drejt tij dhe duke shtyrë shkallët për evakuim.
Një aksident tragjik në Uashington DC la 67 persona të vdekur kur një avion rajonal i American Airlines u përplas me një helikopter ushtarak Black Hawk.
Kjo përplasje çoi në pyetje për ngarkesën e punës dhe mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror.
Administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump, gjithashtu ka ndërmarrë masa për të kursyer shpenzimet, duke pushuar nga puna qindra punonjës të FAA, duke përfshirë mekanikë dhe punonjës të mirëmbajtjes.