Shqiptari Jetmir Buçpapa ka qenë sërish në qendër të mdiave britanike, këtë radhë jo për një histori burgu, por për një histori dashurie. Shqiptari nga Tropoja, i cili qe një nga personat e bandës prej 6 anëtarësh që vodhën 53 milionë paund nga depoja e Securitas në Tonbridge, Kent, është martuar së fundi në vendlindje, pak muaj pasi është liruar nga burgu.
Gruaja e tij e parë Rebeça, kishte premtuar se do t’i qëndronte pranë, por ata thuhet se janë divorcuar ndërsa ai ishte në burg.
Mësohet se Buçpapa u martua sërish me Besiana Dushinën në qytetin e tyre të lindjes, Tropojë, me një festë luksoze.
“Burime nga Shqipëria bënë me dije se autoritete britanike nuk kanë asnjë kërkesë për të hetuar ndonjë pronë apo investim nën emrin e tij apo të të afërmve të tij” , shkruan Mirror.
Gjatë grabitjes së vitit 2006, sulmuesit të paraqitur si policë rrëmbyen menaxherin e depos dhe familjen e tij. Ata gjithashtu lidhën 14 punonjës nën kërcënimin e armëve.
Buçpapa, u arrestua së bashku me 5 persona tjerë në vitin 2008 për vjedhjen e 53 milionë paundëve, cilësuar si një nga grabitjet më të mëdha në Britani.
41-vjeçari shqiptar u dënua me 15 vjet burg për grabitje, rrëmbim dhe armë. Ai u lirua prpara afatit, në gusht të vitit të kaluar (2020) dhe u deportua në Shqipëri.