Dosja e “Masakrës së Dobraçit”në Shkodër ku humbën jetën Arlind Bushati, Hamza Lici dhe çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci ka mësuar se Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup kriminal, vepër që është kompetencë e SPAK-ut.
Basha ishte duke lëvizur me motor bashkë me gruan e tij, Flutura Basha që vdiq atë ditë nga plagët e marra, kur u gjendën mes të një atentati me armë zjarri.
Objektiv i atentatit duket se ishin dy viktimat e tjerë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si dhe një tjetër që po lëvizte me ta në makinë, por që nuk është identifikuar ende nga autoritetet.
Nga atentati, 23-vjeçari Hamza Lici që ishte në drejtimin e makinës tip “Benz” humbi kontrollin e saj dhe përplasi çiftin e bashkëshortëve.
Deri më tani, policia ka përcaktuar dhe ka arritur të zbuloj se makina tip “Range Rover”, e përdorur në atentat është vjedhur në Durrës disa kohë më parë.
Grupi i hetimit është në kërkim të një personi që shfaqet në vendin e ngjarjes pak minuta pas vrasjes dhe besohet të ketë qenë në makinë me viktimat.
Mësohet se Policia ka kontrolluar dy klinika mjekësore private në Shkodër, me qëllim gjetjen e personit të tretë, që policia dyshon se ka qenë në makinën tip “Benz” me targa kroate dhe që ky person i tretë mund të jetë plagosur.
Teksa hetimet për atentatin me 4 viktima zhvillohen intensivisht, policia është vënë në kërkim të personit misterioz.
Policia i ka ushtruar këto kontrolle pas dyshimeve se në këto klinika është paraqitur një person i plagosur, i cili pasi ka marrë mjekim është larguar.
Qëllimi i kontrolleve nga policia ka qenë sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të provuar nëse personi i plagosur është paraqitur për mjekim ose jo në klinikat private, pas ngjarjes.
Po ashtu, policia e shtetit për të provuar shkencërisht me prova prezencën në makinë të viktimave dhe personit të tretë të mundshëm të plagosur, ka dërguar për ekzaminim në laborator prova të marra në vendngjarje si fije floku, gjurmë gishti, profile biologjike, profile djerse dhe gjaku për të zbuluar gjurmë të ADN-ve të secilit person që ndodhej në makinë, me qëllim identifikim shkencërisht të personit të tretë në makinë.
Mësohet se autorët e ngjarjes kanë realizuar me detaje atentatin në Dobraç me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Aq sa dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme për hetuesit.
Përdorimi i acidit është bërë për të shkatërruar numrin e shasisë të makinës dhe elementeve të tjerë identifikues.
Makina “Range Rover” , qe dyshohet se u perdor nga autoret rezulton e vjedhur ne Durrës me 17 Prill te ketij viti. Raportohet se mjeti eshte vjedhur ne lagjen 12 dhe ka qene pronari ne ate kohe qe beri denoncim ne policinë e Durresit.
Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas krahasimit qe i është bere numrit te shasisë, ne automjetin qe u djeg ne fshatin Golem.