Në një komunikim për mediat ishte Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga Kryesia e Kuvendit, i cili tha se kushte, kërcënime, shantazhime me histori Komisionesh apo votimesh në Kuvendin e Shqipërisë ndaj Partisë Socialiste nuk ka.
Sipas tij, me historinë që ne ikim, ne s’vijmë, ne s’votojmë, PD duhet të shikojë punën e vetë, ndërsa PS do të shoh punën e saj.
“Ne do të presim reflektim nga ana e tyre, është një vendim emocional, i mirëkuptueshëm në kushtet e javës së kaluar.
Në janar, me fillimin e sesionit të ri, ata t’i rikthehen punës, në rast se nuk e bëjnë këtë gjë dhe po e them edhe sot, ata e prishin dakordësinë për mos të qenë pjesë në Komision, e prishim dakordësinë për të ndryshuar shumicën në të dy komisionet.
Nëse ata mendojnë se mund të marrin peng komisionet për shkak se komisionet janë mbipartizane me bazë mes pakicës dhe shumicës, atëherë ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve, të cilët kanë caktuar se kush është shumica dhe kush pakica.
Pakica nuk e merr dot peng nevojën e reformës, ndërkohë që gatishmëria jonë për tu ulur me opozitën për çdo çështje mbetet e njëjtë”, u shpreh Balla.



