Asgjësohen mbi 9,300 bimë kanabisi në Shkodër, shpallen në kërkim autorët

Policia e qarkut Shkodër ka intensifikuar kontrollet në terren në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”, duke goditur disa raste të kultivimit të bimëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut.

Gjatë operacioneve të fundit, janë gjetur dhe asgjësuar gjithsej 9,317 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis në territorin e njësive administrative Shosh, Pult, Kastrat, Qendër, Shllak, Temal dhe Fierzë.

Në Shosh dhe Pult, u asgjësuan 4,403 bimë. Për këtë rast, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N. V., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në Kastrat dhe Qendër, Policia e Malësisë së Madhe në bashkëpunim me DVKM Shkodër, asgjësoi 347 bimë, dhe shpalli në kërkim shtetasin A. H., 52 vjeç, që dyshohet se kishte kultivuar 46 bimë në banesën e tij në fshatin Kamicë.

Në Shllak dhe Temal, Policia e Vaut të Dejës asgjësoi 4,547 bimë narkotike.

Ndërsa në Fierzë, Policia e Pukës gjeti dhe asgjësoi 20 bimë të dyshuara narkotike.

Policia e Shkodrës thekson se operacioni “Koordinata” vijon me intensitet dhe se po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Të Fundit